Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci u ka bërë thirrje edhe një herë të gjithë mësimdhënësit që të kthehen në shkolla pranë nxënësve të tyre e të fillojnë mësimin.
Ajo bërë këtë thirrje ndërsa publikoi disa fotografi nga vizitat në disa nga shkollat në të cilat ka filluar të mbahet procesi mësimor.
“Me kryeministrin ishim në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, në Prishtinë ku procesi mësimor është duke u zhvilluar normalisht. Po ashtu, kam vizituar shkollën “Faik Konica” në kryeqytet ku disa mësimdhënës janë duke mbajtur mësimin”, ka shkruar ministrja në rrjetin social.
Ajo tha se edhe zëvëndësministri, Dukagjin Pupovci ka vizituar Qendrën burimore “Përparimi” në të cilën gjithashtu ka nisur procesi mësimor.
Nagavci trego edhe komunat ku disa shkolla po mbajnë mësim, dhe ato janë: Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri, Pejë, Deçan, Gjilan, Kamenicë, Gjakovë, Ferizaj, Shtime.
“Ndonëse shumica e mësimdhënësve janë në grevë, kemi edhe mësimdhënës të cilët janë bashkë me nxënësit duke e kryer detyrën e tyre. Ashtu siç kemi edhe prindër të cilët po i dërgojnë fëmijët në shkollë ndonëse mësimdhënësit nuk po mbajnë mësim. Si ministre e Arsimit edhe njëherë ftoj të gjithë mësimdhënësit që të kthehen në shkolla pranë nxënësve të tyre e të fillojnë mësimin”, ka bërë thirrje ministrja Nagavci.




