Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut ka shërbyer si themel i funksionimit të shoqërisë së Kosovës në të gjitha sferat e jetës, deri në pavarësinë e plotë të saj.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akt i parë i krijimit të rendit kushtetues në Kosovë, sot shënon 32-vjetorin e saj.
Ministrja Gërvalla tha se më 7 shtator 1990, gra dhe burra patriotë, deputetë të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e hartuar pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë më 2 korrik të po atij viti.
“Për më shumë se një dekadë Kushtetuta e Kaçanikut ka shërbyer si themel i funksionimit të shoqërisë së Kosovës në të gjitha sferat e jetës. Me admirim të madh për guximin, mençurinë dhe maturinë e treguar, sot i nderojmë veprën e tyre kolosale”, ka shkruar ajo.
Gërvalla tha se pas sakrificave të jashtëzakonshme nëpër të cilat kaloi, Kosova sot është shtet sovran dhe i pavarur.
Sipas saj, ndërtimi i një shteti demokratik dhe të zhvilluar mbetet detyrimi ynë kushtetues, patriotik dhe shoqëror./KosovaNews/


