FIFA Talent Academy Kosovo ka shënuar një moment historik për zhvillimin e futbollit në Kosovë, me një ngjarje të veçantë të mbajtur në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Akademia është e para e këtij lloji në Ballkan dhe njëra nga vetëm katër Akademitë e Talenteve të FIFA-s që janë aktive në Evropë.
Akademia është plotësisht funksionale që nga fillimi i vitit 2026 dhe ofron një model të integruar për zhvillimin e futbollistëve të rinj. Talenti stërvitet katër ditë në javë në akademi, ndërsa gjatë fundjavës vazhdon të luajë për klubin e tij.
Në këtë projekt është përfshirë edhe një akademi paralele për vajza, me synimin për të krijuar mundësi të barabarta në zhvillimin e talenteve.
Në ceremoninë e organizuar në Hajvali morën pjesë drejtues të FFK-së, përfaqësues të FIFA-s, trajnerë të ekipeve kombëtare të Kosovës, klube të Superligës, ish-futbollistë të gjeneratës së artë dhe prindër të futbollistëve të rinj.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e cilësoi këtë si një ditë të veçantë për Kosovën, duke theksuar se qëllimi është që këta të rinj një ditë të veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës.
Akademia është pjesë e Talent Development Scheme (TDS) të FIFA-s, program i udhëhequr nga Arsène Wenger për zhvillimin e talenteve në mbarë botën.

