Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe deputeti i VV-së, Taulant Kelmendi, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-ministres së Arsimit nga LDK-ja, Hykmete Bajrami, lidhur me mënyrën e blerjes së teksteve shkollore.
Bajrami ka deklaruar se mënyra e blerjes së teksteve shkollore gjatë qeverisjes së kaluar ka qenë një nga gjërat që ka funksionuar më së miri.
Kelmendi, megjithatë, ka hedhur akuza të rënda ndaj mënyrës së mëparshme të menaxhimit të mjeteve për tekstet shkollore.
“Për pesë vitet e tyre, afër 52 milionë euro kanë shkuar drejtpërdrejt në tri llogaritë e shtëpive botuese. Ka pasur auditime e raportime, ku janë konstatuar shkelje dhe abuzime, si dhe skema mashtrimi me librat e nxënësve. Janë transferuar shtëpi e banesa për të përfshirët. Krejt këto, Hykmetja i di!”, ka shkruar Kelmendi.
Ai ka mbrojtur skemën aktuale, përmes së cilës mjetet u transferohen prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, duke thënë se kjo u mundëson familjeve që paratë t’i përdorin edhe për shpenzime të tjera në fillim të vitit shkollor.
“Tash, sigurisht që ju pengon që mjetet shkojnë në llogaritë e prindërve dhe kujdestarëve ligjorë, tekstet mund të rishfrytëzohen pa u blerë të reja dhe nxënësit mbështeten edhe për shpenzime të tjera në fillim të vitit shkollor”, ka deklaruar ai.
Kelmendi ka thënë se nuk do të ketë kompromis ndaj, siç e ka quajtur ai, abuzimit me buxhetin në emër të nxënësve.
“Abuzimi me buxhetin, në emër të nxënësve nuk kalon dhe për këtë nuk ka kompromis”, ka shkruar deputeti.
Në fund, ai ka paralajmëruar se personat që, sipas tij, kanë përfituar nga skema e mëparshme mund të përballen me drejtësinë.
“Përfituesit mund të kenë vetëm nostalgji dhe dro se një ditë Prokuroria e Shtetit mund të funksionojë si duhet”, ka përfunduar Kelmendi.

