Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, mori pjesë në tryezën e diskutimit me temë “Prezantimi i rezultateve/gjetjeve të auditimit: Siguria e nxënësve në shkollat publik”, në të cilën u prezantuan rezultatet dhe rekomandimet e auditimit të realizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Në fjalën e tij, ministri në detyrë Çeku përgëzoi Zyrën Kombëtare të Auditimit për realizimin e auditimit, duke theksuar rëndësinë që ka çështja e sigurisë së nxënësve në sistemin arsimor në Kosovë.
Ai deklaroi se raporti i auditimit për sigurinë në shkolla është realizuar në një momentum të rëndësishëm, kur Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka filluar hartimin e Strategjisë së re për të cilën kërkoi kontributin dhe mbështetjen e të gjithëve.
Më tej, ai shtoi se gjetjet dhe rekomandimet e ZKA-së janë një udhëzues i mirë për përmirësimin e punës dhe performancës sonë, dhe se përgjegjësia për sigurinë në shkolla është e përbashkët dhe kërkon angazhimin e të gjithëve në mënyrë që të krijohet ambient i sigurt.
Fushëveprim i këtij auditimi ka përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Inspektoratin e Arsimit, Policinë e Kosovës si dhe Drejtoritë e Arsimit në komunat e Prishtinës, Ferizajt dhe Gjakovës, komuna të cilat u janë nënshtruar auditimit.
Në tryezë morën pjesë drejtues të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, Zëvendësavokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha Korenica, si dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse, komunave dhe organizatave të shoqërisë civile që mbulojnë fushën e arsimit.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, tha se zbatimi i rekomandimeve të auditimit, koordinimi më i mirë ndërinstitucional, raportimi i plotë i rasteve dhe reagimi i shpejtë dhe i koordinuar janë të domosdoshme për sigurinë e fëmijëve në shkolla.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, u shpreh se krijimi dhe ruajtja e një ambienti të sigurt, të qetë dhe gjithëpërfshirës në institucionet arsimore është përgjegjësi e përbashkët dhe policia mbetet e përkushtuar në përmbushje të këtij misioni.
Ndërkaq Zëvendësavokatja e Popullit, Anita Çavdarbasha Korenica tha edhe sipas standardeve të Gjykatës Evropianë për të Drejtat e Njeriut para edukimit vjen siguria, prandaj të gjithë se bashku duhet të punojmë në këtë drejtim.
Tryeza shërbeu si hapësirë për prezantimin e rezultateve të auditimit dhe diskutimin e rekomandimeve, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ndërmarrjen e masave konkrete për përmirësimin e sigurisë në shkollat publike.

