Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë në fshatin Kukaj të Prishtinës mori pjesë në hapjen zyrtare të SERPENTINE 2026, një hapësirë e re shumëdisiplinare për art dhe kulturë, me një program që bashkon teatrin bashkëkohor, muzikën, instalacionet artistike e zanore dhe forma të tjera të krijimit artistik.
Pasi tha se u hap një kapitull i ri për artin dhe kulturën në Kosovë, kryeministri Kurti foli për hapësirën e re kulturore në fshatin Kukaj.
“SERPENTINE nuk është thjesht një objekt ku zhvillohen ngjarje kulturore. Me tri hapësira teatrore, instalacione permanente artistike e zanore, “Muzeun Emocional”, “Shtëpitë e Kujtimeve”, “Akuariumin e Kujtesës” dhe programin e rezidencave artistike, ajo krijon kushte që arti të lindë, të zhvillohet dhe të prezantohet në të njëjtin vend. Ajo hap gjithashtu mundësi të reja për bashkëpunimin e artistëve nga Kosova me ata nga rajoni dhe Evropa”, tha ai.
Kryeministri tha se është veçanërisht domethënëse që ky zhvillim po ndodh pikërisht në këtë fshat të vogël që ka dëshmuar se përmasa e një vendi nuk përcakton madhësinë e jetës kulturore që mund të krijohet në të.
“Dy hapësira kulturore në një fshat të vogël janë një pasuri e madhe për gjithë Kosovën. Ato janë të ndryshme në karakter, por plotësojnë njëra-tjetrën bukur: EtnoFest-i e mban të gjallë lidhjen me trashëgiminë, traditën dhe kujtesën tonë kulturore, ndërkaq SERPENTINE krijon një terren të ri për teatrin bashkëkohor, instalacionin, muzikën, eksperimentimin dhe format e reja të shprehjes artistike”, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti uroi themelueset e SERPENTINE, Arta dhe Ilirjana Arifi dhe ekipin e tyre, ndërsa shprehu mirënjohje për profesorin Fadil Hysaj dhe të gjithë të përfshirët që, nëpërmjet EtnoFest-it, prej vitesh e kanë bërë Kukajn një emër të njohur të kulturës.

