Pesë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të trafikut që ka ndodhur të dielën në mbrëmje në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë. Në aksident janë përfshirë katër automjete.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se përplasja ka ndodhur rreth orës 19:40.
“Rreth orës 19:40, në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë katër automjete”, ka deklaruar Elezaj.
Sipas tij, pas aksidentit njëri prej automjeteve ka dalë nga rruga dhe ka goditur një zyrtar policor që ndodhej në vendin e ngjarjes.
“Njëri prej automjeteve ka dalë jashtë rrugës dhe ka goditur një zyrtar policor, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë.
Përveç policit të lënduar, edhe katër persona të tjerë janë dërguar në institucionet shëndetësore për trajtim.
Ndërkohë, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

