Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të dyshuar për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar, planifikim të vrasjes së rëndë dhe disa vepra të tjera penale. Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se kishin planifikuar vrasjen e një personi, si dhe sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese ndaj bizneseve të lidhura me të dëmtuarit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër gjashtë të pandehurve: A.H., D.R., D.M., F.Q., Sh.K. dhe R.B., për veprat penale:
“Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”;
“Veprimet përgatitore për vrasjen e rëndë”;
“Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”;
“Falsifikimi i dokumenteve”; dhe
“Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës dhjetor 2024 – shkurt 2025, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, të pandehurit dyshohen se kanë planifikuar dhe ndërmarrë veprime për kryerjen e vrasjes së rëndë të një personi.
Po ashtu, ata dyshohen se kanë planifikuar sulme me armë zjarri dhe mjete shpërthyese ndaj bizneseve të lidhura me të dëmtuarit, me qëllim të shkaktimit të dëmit material, frikësimit të viktimave dhe demonstrimit të fuqisë së grupit kriminal.
Sipas aktakuzës, secili nga të akuzuarit ka pasur role të caktuara në realizimin e planit kriminal, i cili është parandaluar si rezultat i veprimeve hetimore.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e veprave të rënda penale.


