Në Lidhjen Demokratike, një ditë para Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë kanë paralajmëruar nisjen e procesit disiplinor ndaj disa zyrtarëve të saj, për siç thanë, presion ndaj delegatëve për t’u rreshtuar kundër kryetarit Lumir Abdixhiku. Të enjten, 355 delegatët e LDK-së do të vendosin me votë nëse Abdixhiku do të mbetet kryetar
Një ditë para Kuvendit të jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike (LDK), partia ka dënuar atë që e cilëson si presion ndaj delegatëve për t’u rreshtuar kundër kryetarit Lumir Abdixhiku.
Të enjten, 355 delegatët e LDK-së do të votojnë nëse Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë apo do të shkarkohet.
Në një reagim të publikuar të mërkurën, LDK-ja tha se çdo formë presioni ndaj delegatëve është e papranueshme.
“Pamjet e publikuara në opinion, në të cilat pretendohet ushtrim i presionit nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës mbi një delegat të LDK-së përmes kërcënimeve që lidhen me vendin e punës së një anëtari të familjes së tij, paraqesin një sjellje të papranueshme të këtyre zyrtarëve publikë e në kundërshtim të plotë me vlerat, parimet dhe Statutin e LDK-së e në kundërshtim me ligjin”, thuhet në reagim.
Të martën mbrëma, zyrtarë të LDK-së deklaruan në një emision në RTV Dukagjini se gjatë mbledhjes së nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm me qëllim shkarkimin e Abdixhikut ishte ushtruar presion ndaj delegatëve.
Për këtë rast, LDK-ja njoftoi se do të nisë procedura disiplinore ndaj personave të përfshirë.
“Do të iniciojnë menjëherë dhe pa asnjë vonesë procedurat statutare dhe disiplinore ndaj këtyre anëtarëve të LDK-së që rezultojnë të përfshirë në këtë rast, pa dallim funksioni apo pozite. Njëkohësisht, ftojmë organet e drejtësisë, në veçanti Prokurorinë, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe për të vendosur përgjegjësi ligjore mbi elementet e veprave penale”, thuhet në reagim.
Përplasjet brenda LDK-së nisën pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, në të cilat partia mori 16.7 për qind të votave.
Degët e LDK-së në Pejë, Lipjan dhe Dega e dytë në Prishtinë kërkuan dorëheqjen e Lumir Abdixhikut. Pas refuzimit të kësaj kërkese, në fillim të korrikut nisi mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
Sipas Statutit të LDK-së, Kuvendi mund të thirret nëse kërkesa mbështetet nga të paktën një e treta e delegatëve.
Nënshkrimet u dorëzuan në mes të korrikut, ndërsa Abdixhiku pezulloi negociatat për formimin e institucioneve deri në përfundimin e procesit të votëbesimit ndaj tij.
Nëse Abdixhiku e kalon votimin e së enjtes dhe mbetet kryetar i LDK-së, ai do të ketë rreth një javë kohë për t’iu rikthyer negociatave për formimin e institucioneve, pasi seanca konstituive e Kuvendit është caktuar për 6 gusht.


