Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e mjedisit.
Pacolli ka bërë të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje, Forca e Sigurisë së Kosovës do t’i mbështesë aksionet shtetërore me personel, makineri dhe kapacitete logjistike për garantimin e një ambienti të sigurt dhe të pastër.
“Mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi shtetërore dhe kërkon angazhim të përbashkët. Me këtë partneritet po dëshmojmë se institucionet e Kosovës veprojnë të bashkuara për të mbrojtur hapësirat publike, për të rritur sigurinë mjedisore dhe për t’u ofruar qytetarëve një vend më të pastër për të jetuar”, ka shkruar Pacolli.


