Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit. Para trupit gjykues do të dalin sërish Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, ndërsa seanca është caktuar të nisë në orën 13:30.
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin për sulmin ndaj kanalit të ‘Ibër-Lepencit’ në Varagë të Zubin Potokut, drejtori i Departamentit “Uji dhe Gjenerimi” në Ibër-Lepenc, Ernest Kërçeli, deklaroi se dëmi i shkaktuar nga shpërthimi arrin mbi 376 mijë euro.
Kërçeli, në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, tha se bëhet fjalë për dëmin më të madh me të cilin është përballur ndërmarrja dhe se ndërhyrja e shpejtë e punëtorëve në natën e incidentit shmangu pasoja edhe më të rënda.
Sipas tij, riparimi i përkohshëm u realizua me punë intensive në tri ndërrime për rreth një muaj, ndërsa vlerësimi i dëmit është mbështetur në raportin përkatës të përpiluar nga institucionet përgjegjëse.
Kërçeli theksoi se, nëse nuk do të ishte ndërhyrë menjëherë, pasojat do të prekshin furnizimin me ujë dhe energji elektrike në nivel vendi, duke ndikuar edhe në funksionimin e QKUK-së, Termokosit dhe KEK-ut.
Në të njëjtën seancë dëshmoi edhe eksperti i ADN-së në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Fatmir Ademi. Ai deklaroi se analizat e kryera kanë identifikuar gjurmë biologjike që përputhen me të akuzuarit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq.
Sipas tij, raporti është verifikuar edhe nga një laborator në Romë, rezultatet e të cilit kanë qenë në përputhje të plotë me analizat e laboratorit në Prishtinë.
Ademi shtoi se gjurmët më të shumta i përkisnin Jovan Viqentijeviqit. Nga 24 gjene të identifikuara në fitilin kabllo-ndezës, 20 përputheshin me profilin e tij gjenetik.
Në këtë proces gjyqësor akuzohen vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, lidhur me sulmin e 29 nëntorit 2024 ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit dyshohet se kanë vendosur rreth 20 kilogramë eksploziv ushtarak në kanalin e Ibër-Lepencit, duke shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturën kritike dhe ndërprerje të furnizimit me ujë në disa komuna, si dhe duke rrezikuar furnizimin me ujë për KEK-un dhe prodhimin e energjisë elektrike.
Prokuroria vlerëson se dëmi material i shkaktuar ndaj Ibër-Lepencit arrin në 376,774.70 euro. Përveç akuzave për terrorizëm dhe dëmtim të infrastrukturës kritike, vëllezërit Viqentijeviq përballen edhe me akuza për armëmbajtje pa leje, ndërsa Jovan Viqentijeviq akuzohet edhe për spiunazh. Igor Dimoviq akuzohet veçmas për posedim të paautorizuar të armëve.


