Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë periudhës nga 14 deri më 22 korrik 2026, ka arrestuar tetë persona të cilët kërkoheshin me urdhëresa të lëshuara nga gjykatat kompetente.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, katër prej të arrestuarve janë dërguar në vuajtje të dënimit me burgim, ndërsa katër të tjerë janë liruar pas pagesës së dënimeve me gjobë.
“F.Sh. është dërguar në vuajtje të dënimit me dy vjet burgim për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. S.Gj. është dërguar në burg për tre muaj, për veprën penale “Dhunë në familje”. K.I. është dërguar në vuajtje të dënimit me 15 ditë burgim, për veprën penale që lidhet me narkotikët. L.A. është dërguar në burg për 43 ditë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, katër persona të tjerë, të cilët gjithashtu ishin në kërkim me urdhëresa të gjykatave, janë liruar pasi kanë kryer pagesën e dënimeve me gjobë, në përputhje me vendimet gjyqësore.


