Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural deklaron se nuk ka bërë asnjë zotim publik apo zyrtar se rezultatet e analizave laboratorike të qumështit VITA do të publikoheshin më 13 korrik 2026.
Në reagimin e saj, ministria thekson se pretendimet për shkelje të një afati të premtuar janë të pabazuara, pasi një premtim i tillë nuk është dhënë.
Sipas MBPZhR-së, kontrollet zyrtare të kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë zhvillohen në përputhje me Ligjin për Ushqimin dhe legjislacionin në fuqi. Ministria sqaron se rezultatet laboratorike përbëjnë vetëm një pjesë të procedurës së kontrollit, ndërsa para nxjerrjes së përfundimeve duhet të përfundojnë edhe verifikimet administrative, teknike dhe ligjore.
Ministria vlerëson se publikimi i rezultateve të pjesshme para përfundimit të procedurës zyrtare do të ishte në kundërshtim me parimet e kontrollit zyrtar dhe mund të çonte në keqinterpretim të gjetjeve.
Po ashtu, MBPZhR bën të ditur se i ka kërkuar Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë që procedura të përfundojë sa më shpejt, duke respektuar kërkesat ligjore dhe standardet profesionale. Sipas ministrisë, kryeshefi ka konfirmuar se raporti përfundimtar do të dorëzohet jo më vonë se 27 korriku 2026, ndërsa nëse analizat dhe verifikimet përfundojnë më herët, raporti do të publikohet edhe para këtij afati.
Ministria shton se nuk do të komentojë pretendimet e operatorëve ekonomikë derisa procedura zyrtare të jetë në zhvillim, duke theksuar se vetëm raporti përfundimtar i kontrollit zyrtar, i hartuar nga autoriteti kompetent, përbën bazën ligjore për vlerësimin e përputhshmërisë së produkteve me kërkesat e legjislacionit.
Në fund, MBPZhR thekson se prioritet mbetet mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve, trajtimi i barabartë i operatorëve ekonomikë dhe garantimi i integritetit të procesit të kontrollit zyrtar, ndërsa premton se gjetjet përfundimtare do të publikohen në mënyrë transparente sapo të përfundojë procedura.


