Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Luksemburg, BE dhe NATO, njëkohësisht kryenegociator për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka bërë të ditur se çështjen e deklaratës së ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, lidhur me spastrimin etnik në Kosovë, e ka ngritur zyrtarisht me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun.
“E kam ngritur zyrtarisht me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Sørensen, deklaratën alarmuese të një ministre serbe, e cila hapur avokoi për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë”, ka shkruar Bajrami në X.
Ai ka thënë se ministrja serbe ka thënë atë që, sipas tij, mendon presidenti serb.
“Ministrja serbe tha atë që mendon presidenti serb — vetëm se nuk duhej ta thoshte me zë të lartë, ndërsa ai tani po përpiqet të bëjë kontroll dëmi”, ka shkruar Bajrami.
Sipas Bajramit, deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarë serbë përbëjnë shkelje të qartë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.
“Deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarë serbë përbëjnë shkelje të qartë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023, preambula e së cilës i obligon palët të ‘tejkalojnë trashëgiminë e së kaluarës’ dhe pranon se ‘paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit… janë kusht themelor për paqe’”, ka shkruar ai.
Bajrami ka theksuar se kjo retorikë e minon seriozisht dialogun e BE-së, besimin dhe normalizimin e bazuar në njohje dhe respekt të ndërsjellë.
“Distancimi i Serbisë është vetëm fjalë boshe — jo pendesë e sinqertë apo refuzim i krimeve të epokës së Millosheviqit”, ka shkruar Bajrami.
Ai ka shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit, por vetëm nëse parimet themelore të tij respektohen në mënyrë të vazhdueshme.
“Çfarë kuptimi ka të flitet për zbatim, kur Serbia vazhdon t’i shkelë marrëveshjet me fjalë dhe me vepra?”, ka shkruar Bajrami.


