Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka vlerësuar Shtëpinë Muze të shkrimtarit Ymer Elshani si një dëshmi të historisë së popullit shqiptar dhe të sakrificës për lirinë e Kosovës.
Në një reagim publik, Gërvalla theksoi se historia e popullit shqiptar nuk ndërtohet vetëm mbi data e ngjarje, por edhe mbi jetën dhe veprën e njerëzve që kanë kontribuar në ndërgjegjen kombëtare.
Ajo u shpreh se regjimet gjenocidale nuk i druhen vetëm armëve, por edhe mendimit të lirë, librave dhe intelektualëve, duke shtuar se vrasja e Ymer Elshanit dhe familjes së tij gjatë luftës ishte pjesë e politikës gjenocidale të Serbisë, e cila synonte jo vetëm shkatërrimin fizik të shqiptarëve, por edhe goditjen e kulturës, mendimit dhe kujtesës kolektive.
Gërvalla rikujtoi se në Poklek, Ymer Elshani u vra nga forcat serbe së bashku me bashkëshorten, katër djemtë, nënën dhe shumë civilë të tjerë.
Sipas saj, Ymer Elshani ishte më shumë se një shkrimtar i letërsisë për fëmijë dhe të rinj, pasi ai kontribuoi në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar.
Ministrja falënderoi gjithashtu Teuta Elshanin, vajzën dhe të vetmen të mbijetuar të familjes, për ruajtjen me përkushtim të trashëgimisë familjare, duke bërë të mundur shndërrimin e shtëpisë së Ymer Elshanit në muze.
Në përfundim, Gërvalla theksoi se kujtimi për Ymer Elshanin mbetet një kujtesë e çmimit të lartë të lirisë së Kosovës dhe një zotim për mbrojtjen e Republikës së Kosovës përmes ruajtjes së së vërtetës historike dhe nderimit të sakrificës së të rënëve.


