Takimi im i parë bilateral në nivel ministror jashtë Kosovës nuk mund të kishte një domethënie më të madhe. Ai u zhvillua pikërisht në Shqipëri – aty ku historia, gjuha dhe identiteti ynë kombëtar na kujtojnë se kufijtë nuk e ndajnë përkatësinë tonë.
Përtej përgjegjësisë shtetërore që mbaj, kjo vizitë kishte edhe një peshë të veçantë emocionale për mua. Gjatë këtij takimi m’u kujtua një thënie e babait tim: “Bëje ose vdis.” Pikërisht me këtë frymë po ndërtojmë ura bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke afruar qytetarët tanë dhe duke hequr pengesat që kufijtë administrativë nuk duhet t’i krijojnë mes një kombi.
Sot, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë, znj. Delina Ibrahimaj, nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Mobilitetin në Punë.
Kjo marrëveshje forcon lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe krijon mundësi më të mëdha për qytetarët tanë në fushën e punësimit dhe zhvillimit profesional.
Një nga rezultatet kryesore është lehtësimi i qasjes në tregun e punës, duke mundësuar që qytetarët e të dy vendeve të kenë procedura më të thjeshta dhe më të shpejta për punësim në shtetin tjetër.
Kosova dhe Shqipëria nuk i bashkon vetëm historia dhe gjaku. Na bashkon edhe përgjegjësia për të ndërtuar një të ardhme me më shumë mundësi për qytetarët tanë.
Ky është vetëm një hap tjetër drejt këtij qëllimi të përbashkët.


