Lionel Messi vazhdon të dominojë titujt e mediave ndërkombëtare pas paraqitjeve të tij historike në Kupën e Botës 2026, ku me pesë gola të shënuar deri tani ka marrë kryesimin në listën e golashënuesve të turneut.
mediat më të mëdha në botë kanë vlerësuar në mënyrë të jashtëzakonshme kapitenin e Argjentinës, duke e cilësuar si një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit.
Në Argjentinë, “Clarin” e përshkruan Messin si një “dirigjent orkestre”, duke theksuar se ai po luan me një qetësi dhe mjeshtëri që e kthen çdo ndeshje në një “simfoni futbolli”, edhe në moshën gati 39-vjeçare.
Ndërkohë, “La Nacion” shkon edhe më tej, duke e quajtur atë “Mbreti i Botës”, duke theksuar se askush nuk ka mundur ta ndalë në rrugën drejt rekordeve të reja dhe se talenti i tij vazhdon të sfidojë çdo kufi të mundshëm.
Në Angli, “The Times” fokusohet te aspekti historik, duke nënvizuar se Messi po vazhdon të thyejë rekorde në skenën më të madhe të futbollit botëror.
“Guardian” e përshkruan atë si “të pandalshëm”, duke theksuar se ishte e pritshme që ai të shkruante sërish histori në një turne si Kupa e Botës, ndërsa përmend edhe garën për Këpucën e Artë.
Në Francë, “L’Equipe” e cilëson Messin si “historik”, duke theksuar se ai ka siguruar kualifikimin e Argjentinës dhe ka mbyllur çështjen e rekordit të golave në vetëm disa ndeshje.
“Le Figaro” vlerëson se Messi po vazhdon të shtyjë kufijtë e futbollit, ndërsa kujton paraqitjet e tij vendimtare në këtë Botëror.
Në Spanjë, “AS” e përshkruan si “legjendë mes legjendave”, ndërsa “Marca” thotë shkurt: “Është përsëri ai. Lionel Messi përsëri.”
Nga Austria, “Der Standard” pranon superioritetin e argjentinasit, duke theksuar se edhe në një ndeshje të fortë, ai mbetet vendimtar dhe i pandalshëm.
Messi po vazhdon kështu të shkruajë kapituj të rinj në historinë e Kupës së Botës, duke e konsoliduar edhe më tej statusin e tij si një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.


