Pas barazimit befasues ndaj Kepit të Gjelbër në ndeshjen e parë të Kupës së Botës 2026, Spanja synon të rikthehet te fitorja sonte në përballjen me Arabinë Saudite.
Rezultati zhgënjyes ka nxitur diskutime dhe kritika ndaj “Furisë së Kuqe”, por ylli i ri spanjoll, Lamine Yamal, ka reaguar ndaj vlerësimeve të nxituara për ekipin.
Në një intervistë për gazetën spanjolle “El Pais”, Yamal theksoi se është ende herët për të gjykuar shanset e Spanjës në Botëror.
“Nuk do ta dimë se kush do ta fitojë Kupën e Botës para 19 korrikut, por ju doni ta dini që tani. Jeni shumë të paduruar”, ka deklaruar ai.
Sulmuesi i FC Barcelona shtoi se një rezultat i vetëm nuk mund të përcaktojë vlerën reale të skuadrës.
“Spanja ka barazuar një ndeshje dhe ju tashmë po nxirrni përfundime. Mendoni se jemi të dobët, por kushdo që e kupton futbollin e di që nuk është kështu”, u shpreh Yamal.
Spanja do të ketë mundësinë të japë përgjigjen në fushë sonte, kur përballet me Arabinë Saudite në një ndeshje të rëndësishme për ecurinë e saj në Kupën e Botës 2026.


