Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ishte i pranishëm në selinë qendrore të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku bëri me dije se Shqipëria ka nënshkruar tri konventa ndërkombëtare. Sipas tij, këto marrëveshje janë thelbësore për forcimin e shtetit ligjor, demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Gogu theksoi se konventa e parë ndërkombëtare mbi inteligjencën artificiale, sepse teknologjia nuk mund të qëndrojë mbi ligjin dhe mbi dinjitetin njerëzor.
“Konventa e parë kishte të bënte me përdorimin e inteligjencës artificiale, dhe sesi inteligjenca artificiale duhet t’i nënshtrohet ligjit në mënyrë që të mbrojmë dinjitetin e njeriut në mënyrë që të mbrojmë shtetin ligjor”, theksoi ai.
Konventa e dytë, sipas tij, kishte të bënte me mbrojtjen e avokatit.
“Çdo avokat që mbron një qytetar duhet të jetë vetë i mbrojtur, nga çdo lloj presioni, qoftë ai presion shtetëror apo i palëve në proces apo i çfarëdolloj presioni tjetër”, theksoi ai.
Ndërsa konventa e tretë, sipas Gogut, kishte të bënte me Ukrainën.
“Konventa e tretë kishte të bënte me komisionin e kërkesave për Ukrainën. Shqipëria është e përkushtuar që nga dita 1 për qëndrimin pro Ukrainës dhe presidentit Zelensky, agresori duhet të paguajë”, tha ai.
Sipas tij të gjitha konventat theksojnë se “sundimi i ligjit dhe demokracia forcohen përmes miratimit të ligjeve dhe jo vetëm me deklarata”.
“Nënshkrimi është fillimi. Ratifikimi është premtimi. Zbatimi është prova”, shkruan Gogu.


