Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot në Ditën e Çlirimit ka dekoruar komandant Adem Shehin me “Urdhrin e Lirisë”.
“Nga Farka e Tiranës, Adem Shehi erdhi në Kosovë në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte nevojë për njerëz që dinin ta kthenin vullnetin në rend, guximin në qëndresë dhe luftëtarin e ri në ushtar të përgatitur”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, ai solli dijen e oficerit, përvojën e ushtrisë dhe seriozitetin e njeriut që e kupton peshën e detyrës.
“Para se të hynte drejtpërdrejt në luftë, ai ndihmoi në organizimin dhe stërvitjen e qindra vullnetarëve e ushtarëve të UÇK-së. Më pas, si komandant i Brigadës 153 ‘Hyzri Talla’ në Zonën Operative të Llapit, u bë pjesë e forcimit të njësive që vepruan në Llap e Gollak”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka thënë se si shumë oficerë e vullnetarë nga Shqipëria, ai e dinte se kur Kosova ishte në rrezik, kufiri nuk mund të ishte arsyetim për të qëndruar larg.
“Ky nderim është për shërbimin e tij, për dijen e vënë në punë, për rrezikun e marrë mbi vete dhe për atë rreshtim shqiptar që në orët e vështira i doli zot Kosovës. Mirënjohje komandant Adem Shehit dhe të gjithë atyre që i dhanë Kosovës dije, armë, besë dhe jetë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu


