Më 11 Qershor 2026, duke filluar nga ora 18:00, stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të jetë mikpritës i një prej ngjarjeve më të veçanta sportive dhe shoqërore të vitit – Ndeshjes së Yjeve, organizuar për nder të Ditës së Çlirimit të Prishtinës.
Në një atmosferë festive dhe plot emocione, përballë njëri-tjetrit do të zbresin në fushë ekipet e udhëhequra nga dy futbollistët e njohur të Kosovës, Milot Rashica dhe Fisnik Asllani, në një spektakël që tejkalon kufijtë e sportit dhe bashkon figura nga fusha të ndryshme të jetës publike.
Në këtë ngjarje do të marrin pjesë ish-futbollistë, legjenda të sportit kosovar, trajnerë, artistë, aktorë, këngëtarë, moderatorë, gazetarë, krijues të përmbajtjes, personalitete të biznesit dhe figura të njohura të jetës publike, duke krijuar një përzierje unike të sportit, kulturës, argëtimit dhe humanizmit.
Ndeshja synon të sjellë së bashku breza të ndryshëm të sportistëve dhe personaliteteve publike, duke promovuar vlerat e solidaritetit, respektit, miqësisë dhe bashkëpunimit, vlera që kanë karakterizuar gjithmonë qytetin e Prishtinës.
Publiku do të ketë mundësinë të shohë nga afër emra që kanë shkruar historinë e futbollit kosovar, përfaqësues të gjeneratave të arta të sportit, si dhe figura që përmes artit, muzikës, televizionit, mediave dhe biznesit kanë lënë gjurmë të rëndësishme në shoqërinë tonë.
Përveç spektaklit në fushë, Ndeshja e Yjeve do të jetë një festë e vërtetë qytetare, ku emocionet e futbollit do të ndërthuren me atmosferën festive dhe energjinë e mijëra tifozëve që pritet të jenë të pranishëm në stadium.
Hyrja për të gjithë qytetarët do të jetë FALAS.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët, familjet, tifozët e futbollit dhe dashamirët e sportit që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë dhe të festojnë së bashku një ditë të rëndësishme për kryeqytetin.
Data: 11 Qershor 2026
Ora 18:00
Stadiumi “Fadil Vokrri” – Prishtinë
Hyrja Falas
Prishtina feston. Yjet zbresin në fushë. Historia vazhdon të shkruhet.



