Me flamuj të UÇK-së dhe pankarta me mbishkrime “Arsimi në shqip është e drejtë, jo privilegj”, “Gjuha shqipe nuk negociohet” dhe “Nga Prishtina në Shkup, shqipja nuk shuhet kurrë”, studentë të Universitetit të Prishtinës dhe qytetarë të tjerë kanë mbajtur protestë paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
Përmes kësaj proteste, ata kanë shprehur kundërshtimin ndaj mohimit të së drejtës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për t’iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Kryetarja e Këshillit Studentor të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Aolta Bajrami, tha se studentët janë mbledhur për të mbështetur një të drejtë që buron nga ligji dhe jo nga vullneti politik.
“Me shqetësim të thellë po i ndjekim zhvillimet e fundit për mohimin e të drejtës për t’iu nënshtruar provimit të jurisprudencës të studentëve shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Jemi mbledhur sot këtu, si përfaqësues të studentëve, për të shprehur solidaritetin tonë në lidhje me mohimin e një të drejte që buron nga ligji dhe nuk buron nga vullneti politik i asnjë partie politike. Në vitin 2026 ende po vihet në diskutim nënshtrimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Unë konsideroj që dhe ne si studentë konsiderojmë që studentët kanë të drejtë t’i nënshtrohen provimeve në gjuhën që ata e njohin më mirë”, tha ajo.
Përfaqësuesja nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, Diellza Perteshi, tha se protesta kishte për qëllim mbrojtjen e gjuhës shqipe si e drejtë themelore.
“Kjo është pikërisht arsyeja që sot ne jemi mbledhur, që gjuha shqipe të mos mohohet e të mos trajtohet si privilegj sepse gjuha shqipe nuk është privilegj, është e drejtë e secilit. Dhe jemi këtu dhe jo rastësisht sot, unë kam me vete flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për me tregu qartë dhe një mesazh, që ta dërgojmë në vend amanetin e tyre që e kanë mbrojtur trojet shqiptare, gjuhën shqipe dhe ne sot si studentë jemi këtu me mesazh të qartë. Jemi këtu për të mbrojtur gjuhën shqipe”, tha ajo.
Studenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe deputeti në Parlamentin Studentor, Granit Spahiu, tha se kërkesa e protestuesve lidhet vetëm me të drejtën për t’iu nënshtruar provimit në gjuhën amtare.
“Ne si protestues sot nuk kërkojmë asgjë më shumë, nuk kërkojmë asnjë privilegj të madh, kërkojmë vetëm të drejtën e shqiptarëve për të nënshtruar një testi të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare. Gjuhën që ata më së miri e kuptojnë dhe e kanë gjuhë të nënës. Shumë mirë e dimë historinë se si shqiptarët nga Maqedonia, vëllezërit tanë kanë ardhë në Universitetin e Prishtinës, kanë kryer fakultetin dhe kanë shkuar e kanë udhëhequr procese të rëndësishme në shtetin e tyre”, tha ai.
Ndërsa Donart Humolli nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës tha se protesta nuk ishte kundër ndonjë populli apo shteti, por në mbështetje të barazisë dhe të drejtave gjuhësore.
“Jemi mbledhur sot këtu, jo për të kundërshtuar një shtet, një popull apo një komunitet. Po për të mbështetur një parim themelor të çdo shoqërie demokratike, të drejtën për trajtim të barabartë dhe respektimin e të drejtave gjuhësore.
Gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi. Ajo është pjesë e identitetit, dinjitetit dhe mundësisë së çdo qytetari për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në jetën publike dhe profesionale. Kërkesa që provimi i jurisprudencës dhe provimet e tjera të mbahen edhe në gjuhën shqipe nuk është kërkesa për privilegj, por është kërkesë për barazi. Njëkohësisht është një thirrje për institucionet që përmes dialogut dhe mirëkuptimit të gjejnë zgjidhje që forcojnë besimin mes qytetarëve dhe institucioneve”, tha ai.
Një qytetar nga Kaçaniku, Shaban Qorri, tha se shteti i Kosovës duhet të mbështesë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në mbrojtjen e gjuhës shqipe.
“Arsyeja që po marrë pjesë me i mbështetur këta djem të rinj, edhe gjuhën shqipe në Maqedoni. Po e jona është që, shteti i Kosovës duhet me i përkrahë këta djem, që ajo gjuha shqipe, ata njerëz janë të lindur atje edhe do të vdesin atje, e ne duhet me i përkrahë. Edhe shteti, Ramë me qeverinë e vetë, edhe këto tonë që e kemi këtu, qeveria, pak po bëjnë për shqiptarët tonë, madje, po edhe për Kosovën”, tha ai.
Javën e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur protesta masive të studentëve shqiptarë për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Protestuesit kanë kërkuar të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha nivelet shtetërore.


