Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka vlerësuar kompaninë Solaborate dhe platformën e saj hellocare si një nga shembujt më të mirë të sipërmarrjes së suksesshme në Kosovë, duke theksuar ndikimin e saj në teknologji dhe shëndetësi digjitale.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se kompania, e themeluar në vitin 2012, operon në fushën e komunikimit të shëndetësisë digjitale dhe sot është shndërruar në një kompani me ndikim global.
Sipas tij, paga mesatare në Solaborate është 2.200 euro, ndërsa kompania ka 432 punëtorë, prej të cilëve 400 janë në Kosovë. Ai ka theksuar gjithashtu se 40 për qind e stafit janë gra, duke e konsideruar këtë si një shembull pozitiv të përfshirjes dhe fuqizimit të grave në sektorin e teknologjisë.
“Platforma hellocare ofron zgjidhje moderne për spitale, kujdes në shtëpi dhe kujdes parësor, përfshirë vëzhgimin virtual të pacientëve, telemjekësinë dhe pajisjet për ekzaminim në distancë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se kompania ka përfituar nga platforma SuperPuna, ndërsa ka paralajmëruar zgjerimin e saj me programin “SuperPuna për gra”, krahas mbështetjes që tashmë ofrohet për të rinjtë.
Kurti ka theksuar se mbështetja për kompanitë inovative dhe eksportuese do të vazhdojë, me synimin për ta forcuar ekonominë digjitale dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.


