Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, po merr pjesë në punimet e Sesionit të 13-të të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP PA), që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, nga 21 deri më 23 qershor 2026.
Sipas njoftimit nga Kuvendi i Kosovës, Kosova në këtë sesion po përfaqësohet nga një delegacion i udhëhequr nga nënkryetarja e Kuvendit, Emilija Rexhepi. Në përbërje të delegacionit janë edhe Këshilltari Politik i Kryetares së Kuvendit, Glauk Tahiri, Këshilltarja Politike e Nënkryetares së Kuvendit, Selma Alimin Abdiji, Koordinatorja Kombëtare, Bukurije Rukolli, dhe zëvendësshefi i misionit të ARKS, Bujar Deskaj.
“Përveç Kosovës, në punimet e sesionit po marrin pjesë delegacionet parlamentare të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, Moldavisë, Malit të Zi, Rumanisë, Sllovenisë dhe Turqisë. Serbia nuk mori pjesë fare në punimet e këtij sesioni në shenjë pakënaqësie ndaj pranisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjatë punimeve të SEECP PA, u zhvilluan mbledhjet e komisioneve të përgjithshme, në të cilat delegacionet pjesëmarrëse arritën konsensus për përbërjen e kryesive të komisioneve për mandatin 2026–2027. Në këtë kuadër, Rumania u caktua të kryesojë Komisionin për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, ndërsa Turqia Komisionin për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Çështje Sociale.
“Gjatë ditës u mbajt edhe mbledhja e Komitetit të Përhershëm, në të cilën u finalizua teksti i Deklaratës Përfundimtare të Sesionit të 13-të”, njofton Kuvendi.


