Gjykata Speciale në Hagë, ka njoftuar në lidhje me shtyrjen e afatit për shpalljen e vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Ata kanë thënë se vendimi për ta shtyrë atë është i drejtë dhe garanton integritetin e procedurave që gjyqtarët të kenë kohë për të vlerësuar provat.
“Rregullorja e Procedurës dhe e Provave e Gjykatës së Lartë të KSK-së garanton drejtësinë dhe integritetin e procedurave duke siguruar që gjyqtarët të kenë kohë në dispozicion për të vlerësuar siç duhet të gjitha provat e nevojshme kur një çështje është veçanërisht voluminoze ose ligjërisht komplekse”, thuhet në një postim në “X”.
Ata kanë thënë se me 5 maj është shtyrë shpallja e vendimit për 60 ditë por që ai mund të shtyhet përsëri.
“Më 5 maj, Trupi Gjykues lëshoi një urdhër duke zgjatur afatin për vendimin gjyqësor në këtë çështje, për shkak të vëllimit të provave dhe kompleksitetit të procedurave. Urdhri zgjat afatin për shpalljen e vendimit gjyqësor me 60 ditë. Publiku do të informohet pasi Trupi Gjykues të ketë caktuar një datë specifike për shpalljen e vendimit”, ka shkruar Gjykata Speciale në Hagë.


