Apeli ka theksuar se shkalla e parë gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor, do të vlerësojë nëse kemi të bëjmë me gabime teknike apo veprime të qëllimshme nga të akuzuarit dhe krejt në fund do të përcaktojë nëse ka përgjegjësi penale te të akuzuarit.
Po ashtu, Apeli thekson se nuk qëndron as pretendimi i mbrojtjes se nuk janë ofruar të gjitha materialet hetimore në mënyrë që të krijohen kushtet për të kundërshtuar provat që mbështesin akuzën.
Gjithashtu, thekson se nuk qëndron as pretendimi se nuk janë përmbushur elementet e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, për shkak të mungesës së dashjes, ngase sipas Apelit, këto rrethana vlerësohen gjatë shqyrtimit gjyqësor pas administrimi të plotë të provave.
Pas këtij vendimi të Apelit, Themelorja pritet të caktojë seancën e shqyrtimit gjyqësor.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte hudhur poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Ekrem Llukës, Korab Llukës, Klodian Allajbeut, Igli Larashit dhe Edlira Malajt, si dhe tre personave juridikë “American Hospital Kosova”, “Medbrand KS” dhe “Qendra Kardiale e Kosovës”, lidhur me akuzën për shpëlarje parash përmes falsifikimit të dokumenteve.
Kundër aktvendimit të Themelores, në afat ligjor ankesë kishte paraqitur PSRK-ja për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike. Propozoi që Apeli ta aprovojë në tërësi ankesën ndërsa aktvendimin ta ndryshojë dhe të lejojë që aktakuza ndaj të pandehurve të kalojë në shgyrtim gjyqësor apo ta anulojë dhe çështjen ta kthejë në rivendosje.
Pika tjetër i ngarkon sërish Edlira Malajn, Klodian Allajbeun dhe Igli Larashin, Ekrem Llukën dhe Korab Llukën se duke përdorë dokumente të falsifikuara arrijnë të realizojnë para të paligjshme në vlerë prej 3.482.000.00 euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit, duke përdorur dokumente të falsifikuara arrijnë të maskojnë, të fshehin natyrën e burimit të vërtetë, t’i konvertojnë dhe transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale brenda dhe jashtë Kosovës, për t’i marrë më vonë në posedim dhe shfrytëzim si para të ligjshme.
“Ashtu që e pandehura Edlira Malaj pasi themelon subjektin “Medbrand KS”, më 05.11.2014 se bashku me të pandehurin Klodian Allajbeu dhe Ekrem Llukën përpilojnë dokumentin e falsifikuar “Kontratë për shitblerje” datë 30.05.2014 sipas të cilit subjekti juridik “Medbrand KS” kinse dhe me qëllim të ekzekutojnë kontratën e lartëcekur gjatë vitit 2015 lëshojnë në qarkullim edhe dy fatura të falsifikuara të datës 24.07.2015 në vlerë 1.572.842.00 euro të lëshuar nga “Qendra Kardiake e Kosovës për “Medbrand Ks” dhe faturën e datës 27.07.2015 në vlerë prej 4.709.999.98 euro, të lëshaur nga “MEdbrand Ks” për American Hospital Kosova”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, Malaj kishte përfituar shumën prej 3.131.158.00, ku pjesën më të madhe të këtyre mjeteve i transferon dhe i tërheq në Republikën e Shqipërisë si dividentë. Një pjesë të këtyre mjeteve i kishte transferuar në Austri në llogari të saj dhe të djalit të saj Rigers Malaj.
Kështu, aktakuza i ngarkon për shpëlarje të parave Klodian Allajbeun, Ekrem Llukën, Korab Llukën, Igli Larashin dhe Edlira Malajn.
“Nga data 10.08.2015 në vazhdimësi deri në vitin 2023, subjektet juridike të pandehura 1. “Medbrand KS” Sh.p.k me person përgjegjës njëherit pronare Edlira Malaj, 2. “American Hospital Kosova” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit aksionar dhe përfaqësues ligjor Klodian Allajbeu dhe drejtor ekzekutiv Igli Larashi, 3. “Qendra Kardiale e Kosovës” Sh.p.k me persona përgjegjës njëherit pronar dhe përfaqësues ligjor Ekrem Lluka dhe Korab Lluka, duke përdorur dokumente të falsifikuara të përshkruara si në dispozitivin “I deri VII”, arrijnë të realizojnë të hyra ose para të paligjshme në vlerë 3,482,000.00 Euro, të cilat para pastaj me qëllim që të duken si të ligjshme, duke i përdorur dokumente të njëjta, arrijnë ti maskojnë dhe t’ia fshehin natyrën ose burimin e vërtetë dhe ti konvertojnë (të blejnë prona të paluajtshme), transferojnë nga një llogari e biznesit në llogarinë e biznesit tjetër, në llogari personale të pronarëve brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës dhe ti shfrytëzojnë si para të ligjshme”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, ata në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Shpëlarje e parave”, e përcaktuar në nenin 308 lidhur me nenin 40 dhe 81 të KPRK-së nr. 04/L-082 dhe lidhur me nenin 56 par.1 nën par.1.6 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit. /BetimipërDrejtësi


