Disa qindra bashkëluftëtarë, ish-ushtarë të UÇK-së, kanë nderuar sot veprën dhe heroizmin e Ilir Konushevcit, njërit prej figurave emblematike të UÇK-së, përmes “Shtigjeve të Lirisë”, marsh tradicional që u zhvillua duke ecur në këmbë dhjetëra kilometra nga Viçidoli i Tropojës deri në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Morinë.
“Është një shteg që e bëjmë çdo vit. Ne sot kemi qenë në Prifq, në Viçidol, nga aty jemi nisur nga shtëpia e Sylejman Berishës, diku rreth 300 ish-ushtarë të UÇK-së dhe kemi marrë rrugën të cilën e ka marrë edhe Iliri, edhe bashkëluftëtarët e tij për të sjellë armatim në Kosovë. Unë kam qenë vetëm njëherë kësaj rruge, ndërsa herave tjera nga Rrasa e Zogut, atëherë me armë në dorë kemi pasur frikë, por megjithatë kemi kaluar, ndërsa tani lodhja nuk ndihet sepse kemi vetëm një çantë krahu në dorë dhe kemi bashkëluftëtarë të cilët, edhe pse tani të shtyrë në moshë, nuk e ndiejnë fare lodhjen”, tha Sadik Zeqiri, veteran i luftës së UÇK-së.
“Me gjithë dëshirë iu kam bashkuar Shtigjeve të Lirisë. Po ndihem mirë, aq më tepër meqë u nisa prej një vendi ku jam nisur edhe dikur me hy në Kosovë, edhe pse ishin rrethana tjera, ishin kushte klimatike tjera, mirëpo motivi ishte shumë i madh. Mirëpo mendoj se ajo që na bën sot krenarë janë të rinjtë të cilët vazhdojnë të ecin me ne në këta hapa”, deklaroi Nasim Haradinaj, veteran i luftës së UÇK-së.
“Për mua ka qenë shumë interesante sepse pata rastin t’i njoh shumë shokë e bashkëluftëtarë të babit. Ishte kënaqësi t’i njoh dhe ndihem shumë krenare dhe jam tepër e lumtur që kam mundur ta bëj këtë rrugë”, u shpreh Nertila Konushevci, vajza e Ilir Konushevcit.
“Është një ecje e mirë, në këtë rast sot me Nertilën e cila ka pasur rastin të bisedojë me shumë shokë të mërgimit, të tregojë secili kujtimet e veta, si e ka marrë kapuçin tjetri emblemën, ndërsa unë shumë herë e kam parë duke ngrënë bukë e pashtetë duke vozitur rrugës, kështu që janë përjetime të mira, duhet me i rikujtu”, tha Gani Nuha, veteran i luftës së UÇK-së.
Ndërkaq në kuadër të këtij aktiviteti në fshatin Morinë është zbuluar pllaka përkujtimore e pikës së parë të UÇK-së në familjen Demiri, ku kishte qëndruar edhe vet Ilir Konushevci.
“Nga kjo pikë, tash e shihni datën 28 janar, ndërsa të inkuadruar ishim më 17 janar, kurse dy javë pas me urdhër të Demirit, Dilaverit dhe Ilir Konushevcit e kemi hapur pikën këtu. Pastaj është hapur pika e dytë te Ukshint”, deklaroi Can Demiri, veteran i UÇK-së.
Ndryshe, Morina e Gjakovës është ndër vatrat kryesore të UÇK-së, në istikamet e së cilës zjarri i luftës për liri nuk pushoi plot 45 ditë me radhë.


