Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar propozim-vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga viti 2025 në vitin 2026 në vlerë totale mbi 10 milionë euro.Gjatë shqyrtimit të kësaj pike, asamblisti Feim Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje shprehu pakënaqësi lidhur me mënyrën e planifikimit të shpenzimit të këtyre mjeteve. Sipas tij, një pjesë e madhe e buxhetit është orientuar drejt shpenzimeve operative dhe jo kategorive të tjera të rëndësishme. “Në shumë aspekte nuk jemi fare të kënaqur me formën se si janë paraparë të shpenzohen këto mjete në vlerë të konsiderueshme financiare. Është për keqardhje se si 60% e kësaj shume u dedikohen shërbimeve si paga dhe mëditje dhe mallra e shërbime, duke diskriminuar kategorinë më të rëndësishme si ajo e investimeve kapitale”- deklaroi Osmani në mbledhjen e mbajtur të martën, më 28.04.2026. Megjithatë, ai theksoi se LVV nuk do ta kundërshtojë bartjen e mjeteve, pavarësisht vërejtjeve, por kërkoi që nga kjo shumë të ndahen 50 mijë euro për rregullimin e parkut memorial për personat e zhdukur me dhunë.Në anën tjetër, drejtoresha e Drejtorisë së Financave, Valbona Makolli, tha se një kërkesë e tillë mund të trajtohet në kuadër të buxhetit të vitit 2026, e jo përmes bartjes së mjeteve.“Nëse është kjo kërkesë për këtë park e grupit tuaj, ne kemi buxhet të vitit 2026… kështu që mundemi me e diskutu me buxhetin e vitit 2026, por me bartje nuk po di se qysh…”- u shpreh Makolli.Pas këtij debati, asamblistët e LVV-së lëshuan sallën e Kuvendit Komunal. Pavarësisht kësaj, propozim-vendimi për bartjen e mjeteve u miratua me 21 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.Ndërkaq, bartja e mjeteve të vitit të kaluar nga viti 2024, Asambleja e Prishtinës e kishe miratuar shumë më vonë. Madje, kalimi i këtyre mjeteve u bë në mes të krizës së transportit publik, në nëntor të vitit 2025.
Në Kuvendin Komunal të Prishtinës miratohet bartja e mbi 10 milionë eurove nga viti paraprak
Gjithashtu lexoni:
KosovaNewss


