Në Universiteti i Prishtinës, në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë, është bërë lansimi zyrtar i Institutit të Farmacisë, një hap i rëndësishëm për avancimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë. Ky institut synon të forcojë lidhjen mes teorisë akademike dhe praktikës profesionale, duke krijuar një hapësirë ku dija jo vetëm transmetohet, por edhe prodhohet përmes kërkimit dhe inovacionit.
Në Universiteti i Prishtinës, konkretisht në Fakultetin e Mjekësisë, është lansuar zyrtarisht Instituti i Farmacisë. Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hajrullah Çeku, theksoi rëndësinë e këtij themelimi për arsimin e lartë dhe zhvillimin e vendit.
“Kam kënaqësinë të jam sot me ju në këtë ngjarje të rëndësishme, ku shënojmë hapjen zyrtare të Institutit të Farmacisë. Ky është një moment i rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës dhe për zhvillimin e arsimit të lartë në vend. Themelimi i këtij instituti nuk është vetëm një hap organizativ, por një drejtim i qartë: forcimi i lidhjes mes arsimit, profesionit dhe nevojave reale të shoqërisë”, tha ai
Sipas tij, Instituti i Farmacisë është pikërisht një shembull i kësaj qasjeje. “Ai krijon mundësi që universiteti të mos jetë vetëm vend i transmetimit të dijes, por vend ku dija prodhohet përmes kërkimit, analizimit, bashkëpunimit me praktikën”, theksoi ministri.
Ndërkaq, rektori i universitetit, Arben Hajrullahu, tregoi se vendimi për themelimin e këtij instituti ishte ndër të parët që kishte marrë.
“Unë me shumë kënaqësi e kujtoj që dokumenti i parë që e kam nënshkruar në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Prishtinës ka qenë dokumenti për themelimin e Institutit të Farmacisë”, tha ai.
Ai vuri në pah edhe rëndësinë e lidhjes mes akademisë dhe industrisë.
“Ne e dimë që misioni i Universitetit të Prishtinës është shumë-dimensional. Njëri nga këto funksione që ne duhet t’i përmbushim është edhe që ta lidhim sa më shumë dhe më ngushtë shkencën me industrinë, me dobinë për ekonominë edhe për shoqërinë”, theksoi rektori.
Nga ana tjetër, profesoresha Pranvera Breznica e përshkroi këtë hap si më shumë se një strukturë të re.


