Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit L.H., për shkak të dyshimit se i ka shkaktuar lëndime trupore bashkëshortes së tij.
“Prokuroria njofton se, më 24 gusht 2022, në Komunën e Malishevës, pikërisht në shtëpinë e tyre të përbashkët , i pandehuri L.H., i shkakton lëndime trupore bashkëshortes se tij, të dëmtuarës M.P., viktimë e ndjeshme, grua shtatzënë. Pas një mosmarrëveshje të cilën e kishin mes vete, i njëjti e gjuan me një shishe birrë e cila nuk e godet, dhe pastaj ngjitet lartë në katin e dytë duke e kapur për krahu e tërheq zvarrë shkallëve deri poshtë, me çka të njëjtës nga zvarritja nëpër shkallë i shkakton lëndime trupore, të përshkruara në raportin mjekësor të lëshuar nga QKMF Malishevë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë të premten.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit L.H., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 25 gusht 2022.


