Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me çështjen e ngritur për shërbimet e furnizimit me kerozinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke sqaruar se kompania EXFIS nuk është licencuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës për këtë shërbim.
Sipas ministrit Basha, kompania EXFIS është përzgjedhur nga operatori i aeroportit, Limak Kosovo International Airport, pas një tenderi ndërkombëtar të zhvilluar në vitin 2010, gjatë qeverisjes së atëhershme.
Ai theksoi se përzgjedhja e kompanisë nuk është kompetencë e institucioneve shtetërore aktuale.
“Sa i përket çështjes së ngritur për shërbimet e furnizimit me kerozinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës nga kompania EXFIS, është e nevojshme të sqarojmë se kjo kompani nuk është licencuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës për këtë shërbim,” ka deklaruar Basha.
Sipas tij, në bazë të kontratës së koncesionimit të aeroportit të nënshkruar në vitin 2010, përgjegjësia për sigurimin e shërbimit të furnizimit me karburant i takon operatorit të aeroportit.
“As Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës dhe as Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit nuk vendosin për këtë çështje. Kjo kompetencë është e përcaktuar në kontratën e koncesionimit të aeroportit, ku Limaku është përgjegjës të sigurojë që gjatë gjithë kohës të ekzistojë shërbimi i furnizimit me karburant,” theksoi ai.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se çështja do të trajtohet në mënyrë institucionale.
“Menjëherë në javën e ardhshme, si Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, do të zhvilloj takim me përfaqësuesit e Limak Kosovo International Airport për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’i adresuar shqetësimet e ngritura lidhur me furnizimin me kerozinë,” ka shtuar Basha.
Sqarimi vjen pas shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me mënyrën e furnizimit me karburant në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.


