Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka folur për takimet që ai ka pasur me emisarët ndërkombëtarë Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak mbi procesin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se në këto takime ka shprehur qëndrimin në mbrojtje të interesave të Kosovës, duke theksuar nevojën për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundimin e ligjit dhe lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve tanë.
“Po ashtu, kam shprehur bindjen tonë se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit duhet të evitohet dhe për këtë, kërkohet angazhimi i të gjitha palëve. Koordinimi i vazhdueshëm i Kosovës me partnerët ndërkombëtar është i domosdoshëm”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se dialogu është proces i pa alternativë për arritjen e paqes dhe përmbylljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij, mungesa e transparencës nga kryeministri Albin Kurti është e dëmshme për arritjen e qëllimeve të Kosovës.
“Qytetarët kanë të drejtë të plotë që të dinë se cilat janë pozicionet e Qeverisë për çështjet që po diskutohen në kuadër të dialogut. Ne besojmë se prioritet duhet të ketë angazhimi për arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë. Degradimi i dialogut në nivel teknik nuk i ndihmon arritjes së këtyre objektivave shtetërore”, ka thënë Krasniqi.


