Një 55-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare në Kukës, pasi dyshohet se ka tentuar të kontrabandojë një sasi të konsiderueshme nafte nga Kosova drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Kukës, në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme në hyrje dhe dalje të pikave kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë vënë në pranga shtetasin K.D., 55 vjeç, banues në Kukës.
Arrestimi i tij u bë në Stacionin e Policisë Kufitare Qafë Shishtavec, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ku gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte u gjetën rreth 510 litra naftë, të dyshuara se ishin kontrabanduar nga Kosova.
Policia bëri të ditur se sasia e naftës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.


