Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës F.B., hetuese policore në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorimi i informatës zyrtare’ e sanksionuar me kodin Penal.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura në cilësinë e personit zyrtar, duke keqpërdorur informatën e duke u kyçur në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës, i ka ndihmuar mikut të saj të sigurojë të dhëna personale e të kaluarën kriminale për të të dëmtuarin F.M, që sipas Prokurorisë me qëllim diskreditimi ndaj të tij, i ka publikuar në një emision televiziv në dhjetorin e vitit të shkuar.
“Pas zhvillimit të hetimeve dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura F.B. në cilësinë e personit zyrtar, hetuese policore në ekipin për Hetimin e Personave të Zhdukur, duke keqpërdorur informatën zyrtare, në të cilën ka pasur qasje si rezultat i detyrës zyrtare, ashtu që me kërkesën private të mikut të saj A.P., e me qëllim që ky i fundit të përfitoj përparësi që nuk i takojnë, e pandehura përmes llogarisë zyrtare është kyçur në Sistemin Informativ të Policisë së Kosovës (SIPK) ku ka siguruar të dhënat personale dhe të kaluarën kriminale të dëmtuarit F.M., të cilat të dhëna përmes rrjetit social ‘WhattsApp’ ia ka dërguar personit A.P., i cili me qëllim të diskreditimit të dëmtuarit i ka publikuar në emisionin televiziv të datës 20.12.2025”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.
Kanë thënë se Prokurori i Shtetit do të vazhdojë punën në ruajtjen e sigurisë dhe rendit juridik të Republikës së Kosovës, duke luftuar dukuritë negative, me theks të veçantë në mbrojtjen e informacioneve konfidenciale që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.


