Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Xhefri M. Hovenier, më rastin e 31 vjetorit të pavarësisë së Ukrainës në një opinion të tij ka shkruar se është për keqardhje që në këtë ditë bëhen gjashtë muaj prej kur qeveria ruse filloi pushtimin e paprovokuar dhe në shkallë të gjerë të Ukrainës.
“Ky sulm kaq tronditës për bashkësinë ndërkombëtare u dënua plotësisht nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe nxiti dy vende të reja të kërkojnë anëtarësim në aleancën e NATO-s”, ka shkruar Xhefri M. Hovenier.
Me këtë rast, Hovenier ka shkruar se Kosova ka reaguar shpejt duke dënuar pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar nga ana e Rusisë dhe duke shprehur solidaritet të plotë me popullin e Ukrainës.
“Kosova u rreshtua menjëherë me sanksionet e ShBA-së dhe BE-së në mbështetje të Ukrainës. Kosova tregoi zemërgjerësinë dhe përkushtimin e saj ndaj demokracisë duke ua hapur dyert ukrainasve që kishin nevojë për strehim, përfshirë edhe gazetarëve, që ata të mund të vazhdonin të përmbushnin rolin e tyre jetik për të mbajtur shtypin e Ukrainës të lirë dhe të pavarur”, shkruan mes tjerash Hovenier.
Tutje ai shkroi se Ukraina, e sulmuar nga Rusia që nga viti 2014, ka gjysmë viti që po iu reziston bombardimeve masive, rrethimeve të qyteteve dhe mizorive kundër popullit të saj.
“Ukraina po lufton për të mbrojtur jo vetëm demokracinë e saj, por edhe mbijetesën si shtet i pavarur”, shkruan ndër të tjera Hovenier në një shkrim të tijin me rastin e 31 vjetorit të pavarësisë dhe 6 mujorit të sulmit rus mbi Ukrainën.


