AKryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se ka propozuar Jehona Lushaku- Sadriun për Kryetare të Grupit Parlamentar të LDK-së në legjislaturën e dhjetë.
Në një postim në Facebook, ai e ka përshkruar Sadriun si një deputete me integritet, përgatitje akademike dhe përvojë politike, si dhe si një bashkëpunëtore të ndershme dhe të përkushtuar për demokracinë parlamentare, shtetin ligjor dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.
“Jam i bindur se në këtë përgjegjësi të re do ta udhëheqë Grupin Parlamentar me përkushtim, korrektësi politike dhe respekt për njerëzit me të cilët punon. Mbi të gjitha, do ta përfaqësojë Lidhjen Demokratike të Kosovës me dinjitet dhe do ta bëjë krenar çdo mbështetës tonin, ashtu si edhe vetë qytetarët e Kosovës, për përfaqësimin parlamentar të LDK-së”, ka shkruar kryetari i LDK-së.


