Dy punëtorë të sigurimit të qendrës tregtare Abi Plus në Prizren janë arrestuar nën dyshimin se kanë sulmuar fizikisht asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Selman Sokoli.
Arrestimi i tyre është bërë pas raportimit të incidentit që kishte ndodhur në ambientet e kësaj qendre tregtare, ku Sokoli kishte deklaruar se ishte sulmuar dhe ndaluar në mënyrë të paligjshme për disa minuta.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, dy të dyshuarit kanë përfunduar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.


