Trainkos Sh.A. ka reaguar pas një incidenti të rëndë të ndodhur në Stacionin Hekurudhor të Hanit të Elezit, ku vagonët e sapo-riparuar të kompanisë janë dëmtuar dhe mbuluar me grafite. Ngjarja ndodhi sot, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë dhe ruajtjen e pronës publike.
Sipas Trainkos, vagonët ishin riparuar me një investim prej 423,000 euro, të financuar nga buxheti i Republikës së Kosovës. Ata ende nuk kishin hyrë në operim, ndërsa ky është incidenti i dytë pas dëmtimit të xhamave në prill të këtij viti.
Më 17 dhjetor 2024, vagonët e projektit kapital të vitit 2024 kishin mbërritur në Han të Elezit me trenin 44980, pas gati një viti punimesh dhe procedurash teknike. Megjithatë, Trainkos thekson se NP Infrakos Sh.A. nuk ka lëshuar ende njoftim zyrtar për hapjen e linjës hekurudhore, e cila është e domosdoshme për transportimin e këtyre vagonëve drejt stacionit amë në Fushë Kosovë.
Për momentin, transportimi i 5 vagonëve mbetet i pamundur pasi linja Fushë Kosovë – Hani i Elezit vazhdon të jetë e mbyllur – e vetmja linjë që mundëson kthimin në funksion të këtyre mjeteve dhe rritjen e kapaciteteve transportuese.
Trainkos kujton se që nga fillimi i projektit në vitin 2019, dëmet financiare për ndërmarrjen kanë kaluar 10 milionë euro, duke përfshirë humbje të klientelës, dëmtim të imazhit si dhe zhvendosjen e konsiderueshme të transportit nga hekurudha në rrugë. Kompania paralajmëron se rikuperimi i plotë do të kërkojë vite.
“Ky akt vandal përbën dëm të drejtpërdrejtë ndaj pronës publike dhe përpjekjeve tona për modernizimin e transportit hekurudhor,” thuhet në reagimin zyrtar.
Trainkos Sh.A. u bën thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin hetim të plotë dhe të ndëshkojnë përgjegjësit.


