Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave zyrtarë, A.E. dhe L.G., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, nga data 20 tetor 2023 e deri më tej, të pandehurit lidhen me projektin për ndërtimin e lapidarëve në fshatrat Studenqan, Vraniq dhe Dubravë. Gjatë ekzekutimit të projektit, ata dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Sipas prokurorisë, A.E., në cilësinë e menaxherit të kontratës, ka urdhëruar operatorin ekonomik të ndryshojë projektin dhe të realizojë punë që nuk ishin pjesë e planit fillestar, duke anashkaluar zyrën e prokurimit dhe zyrën e autoritetit kontraktues
Ndërkohë, L.G., mbikëqyrëse e drejtpërdrejtë, dyshohet se ka pranuar këto shkelje, duke konfirmuar me nënshkrimin e saj të dhënat e pa vërteta për pagesa në vlerë prej 41.270.00 € dhe për përfundim të punimeve më 22 dhjetor 2023 në shumën 7.377.20 €, pavarësisht se punimet nuk janë realizuar në fshatin Studenqan. Këto veprime dyshohet se kanë shkaktuar dëm të buxhetit të Komunës së Suharekës.
Prokuroria ka vlerësuar se veprimet e të pandehurve përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe ka propozuar që gjykata, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit. Për personat zyrtarë, prokuroria ka kërkuar gjithashtu dënim plotësues – ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.


