Në Sllovaki, shpejtësia maksimale në trotuaret urbane është vendosur në 6 kilometra në orë me arsyetimin për të përmirësuar sigurinë, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të faqes “Politico”, parlamenti sllovak ka miratuar vendimin i cili parashikon ndryshim në Ligjin e Trafikut. Në kuadër të ndryshimit të bërë me qëllim përmirësimin e sigurisë së këmbësorëve në trotuare, shpejtësia maksimale në trotuaret urbane është vendosur në 6 kilometra në orë.
Ky kufizim i shpejtësisë në fjalë, krahas këmbësorëve që kanë leje për të përdorur trotuaret, do të jetë i vlefshëm edhe për drejtuesit e biçikletave, patinave dhe skuterëve.
Ligji do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.
Deputeti i Partisë Socialdemokrate (SMER) Lubomir Vazny tha se qëllimi i tyre është të përmirësohet siguria në trotuare. Martin Pekar i Partisë Progresive të Sllovakisë (PS) në opozitë tha se makinat përbëjnë kërcënim më të madh për këmbësorët sesa skuterët ose biçikletat dhe se ky ndryshim ligjor penalizon transportin e qëndrueshëm.
“Nëse duam më pak aksidente, na duhen rrugë më të sigurta për biçikleta, jo kufizime absurde që janë fizikisht të pamundura për t’u zbatuar. Me atë shpejtësi, një çiklist do të ketë vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit të tij”, tha Pekar.
Shpejtësia mesatare e ecjes së një personi në përgjithësi varion nga 4 deri në 5 kilometra në orë. Fondacioni Britanik i Zemrës ka deklaruar se një shpejtësi prej 6.4 kilometrash në orë konsiderohet mesatare për njerëzit në formë të mirë fizike.


