Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm ndërkombëtar duke u dekoruar me medaljen e argjendtë në garën prestigjioze “Cambrian Patrol”, e cila zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe cilësohet si një nga garat më sfiduese ushtarake në botë.
Në këtë garë morën pjesë 118 ekipe, përfshirë 35 ekipe ndërkombëtare nga 33 shtete të ndryshme. Ekipi i FSK-së, i përbërë nga pjesëtarë të Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë të Komandës së Forcave Tokësore, tregoi angazhim të jashtëzakonshëm, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë, duke e përmbyllur garën me një rezultat që e rendit ndër më të mirët në botë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar këtë arritje si dëshmi të përkushtimit dhe nivelit të lartë profesional të FSK-së, duke theksuar se Kosova po tregon se ka forca të afta e të gatshme për çdo sfidë ndërkombëtare.
FSK vazhdon me sukses pjesëmarrjen në aktivitete dhe gara ndërkombëtare, duke forcuar pozitën dhe reputacionin e Kosovës në skenën ushtarake botërore.
Postimi i plotë i ministrit Maqedonci:
FSK në një nga garat më sfiduese në botë “Cambrian Patrol” të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, arriti të dekorohet me medaljen e Argjendtë në mesin e 118 ekipeve, 35 ekipe ndërkombëtare nga 33 shtete të ndryshme të botës.
Ekipi i FSK-së nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë i Komandës së Forcave Tokësore gjatë garës ka treguar angazhim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm të lartë duke arritur Medaljen e Argjendtë. Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon me sukses pjesëmarrjen në aktivitetet ndërkombëtare.


