Dy persona kanë rrezikuar të mbyten ditën e sotme në plazhin e Ranës së Hedhur në Shëngjin.
Në informacionet e siguruara nga mediat në Tiranë thuhet se e moshuara po mbytej, ndërsa një person tjetër i ka ardhur në ndihmë.
Më pas të dy kanë rrezikuar të mbyten, ndërsa tashmë janë marrë me urgjencë nga ambulanca dhe po dërgohen në spitalin e Lezhës.
Deri më tani nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore, ndërsa në atë zonë mungojnë vrojtuesit e plazheve.
Lezha ditën e sotme është përfshirë nga moti me shi dhe erëra, duke shkaktuar dallgë në det.
Pushuesit kanë vendosur të largohen nga bregdeti, ndërsa në rrugët kryesore është krijuar trafik i rënduar.
Kujtojmë se edhe një javë më parë katër pushues, tre prej të cilëve të mitur rrezikuan të mbyteshin.
Ata janë shpëtuar nga Policia Kufitare e Shëngjinit, teksa ishin larguar me komardare rreth 1 milje larg bregut.
“Policia Kufitare Shëngjin iu vjen në ndihmë 4 pushuesve (3 prej tyre të mitur) që rrezikuan të mbyteshin në det, pasi ishin larguar me komardare rreth 1 milje larg bregut dhe nuk po ktheheshin dot në breg. Gjatë patrullimit të zonës së plazhit, me qëllim garantimin e një sezoni turistik të sigurt për pushuesit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar në det, rreth 1.2 milje larg bregut, dy fëmijë të mitur, me komardare, që kishin mbetur në det të hapur dhe nuk ktheheshin dot në breg. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, i kanë marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare dhe i kanë nxjerrë në breg, në gjendje të mirë shëndetësore, 2 fëmijët (12 dhe 13 vjeç), të cilët ishin larguar në det pa dijeninë e prindërve të tyre”, thuhej në njoftimin e 10 gushtit nga Policia shqiptare.


