Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar shtetasin R. Z. i vënë në kërkim për tentativë vrasjeje në Sarandë.
43-vjeçari në momentin e ndalimit, ishte i armatosur me armë zjarri, me fishek në fole, gati për qitje, të cilat janë sekuestruar nga policia.
R. Z. më 17 korrik 2025 plagosi me armë zjarri dy shtetas, në një lokal. Ndaj tij është caktuar masa e sigurimit personal arrest në burg.
Në pranga është vënë edhe shtetasi A.I. (50) që strehonte R.Z. në Fier dhe e ndihmonte t’i shmangej policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e A.I. u gjet dhe u sekuestrua një arsenal armësh dhe sendesh të tjera, tri pistoleta me fishekë, një armë automatike, një pjesë mekanizmi për silencator, një dylbi për përdorim në kushte të errësirës, një dron dhe rreth 600 fishekë luftarakë.
Materialet procedurale iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



