Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur sot se buxheti i ndarë për Komunën e Prishtinës për vitin 2026 do të jetë 151.53 milionë euro, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2021, kur Kryeqytetit i ishin ndarë vetëm 87 milionë euro nga Qeveria Hoti.
Përmes një postimi në Facebook, Murati theksoi se kjo rritje përfaqëson një “kapërcim enorm” në mbështetjen ndaj Prishtinës dhe qytetarëve të saj.
“Në vitin e ardhshëm buxheti i ndarë për Komunën e Prishtinës do të jetë 151.53 milionë euro. Ky është një kapërcim enorm në mbështetjen ndaj Kryeqytetit kur e krahasojmë me vitin 2021 kur Prishtinës i ishin ndarë vetëm 87 milionë euro buxhet nga Qeveria Hoti,” ka shkruar Murati.
Ai u shpreh i bindur se ky buxhet do të shfrytëzohet në tërësi për të përmirësuar jetën e qytetarëve, duke kritikuar udhëheqjen aktuale për suficitin e madh të mbetur çdo vit.
“Qysh e njoh Hajrulla Çekun si punëtor të palodhshëm, këtë buxhet do ta shfrytëzojë për përmirësimin e lehtësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës, dhe nuk do t’i shkojë mandati duke i tepruar nga 40-50 milionë euro suficit çdo vit, kështu siç i kanë tepruar këtij që është në ikje,” ka shtuar ministri.
Deklarata e Muratit vjen në një moment të rëndësishëm politik, pak muaj para zgjedhjeve lokale, ku pritet që Hajrulla Çeku të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.


