Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes zyrës regjionale në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për ndalimin e shitjes së produkteve të bulmetit dhe shpezëve në hapësirat publike pranë tregut të gjelbër të qytetit.
Gjatë një kontrolli të fundit, inspektorët veterinarë kanë ndaluar shitjen e produkteve si djathi, gjiza, qumështi i freskët dhe nënprodukte të tjera të qumështit që po shiteshin në kushte të papërshtatshme në ambient të hapur dhe pa ruajtje frigoriferike, shkruan IndeksOnline.
“Këto produkte, sipas legjislacionit në fuqi, duhet të ruhen në temperatura të kontrolluara prej 0–6°C dhe të jenë të mbrojtura nga ndotja dhe kontaminimi.
Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqimin, AUV ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes së këtyre produkteve në kushte jo të sigurta dhe ka larguar nga tregu çdo produkt të dyshuar si i pasigurt. Për shitësit që nuk i përmbahen rregullave parashihen konfiskime, asgjësim i produkteve dhe ndëshkime ligjore”, thuhet në njoftim.


