Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në kuadër të hetimeve për vrasjen e rëndë të Enver Bajraktarit nga Lipjani, më 12 gusht 2025 është realizuar një urdhër kontrolli në fshatin Baicë të kësaj komune.
Gjatë aksionit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është arrestuar i dyshuari Top Kolshi, banor i po të njëjtit fshat. Pas ndalimit dhe marrjes në pyetje, ai ka pranuar kryerjen e veprës penale.
Sipas Prokurorisë, Kolshi është ndaluar me vendim të prokurorit dhe ndaj tij po zhvillohen procedurat e mëtutjeshme ligjore.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur ditë më parë, kur trupi i viktimës u gjet i varrosur në një arë në Baicë. Bajraktari ishte raportuar më herët si person i zhdukur nga familjarët.
Prokuroria dhe Policia kanë theksuar se mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.


