Radio Televizioni i Kosovës (RTK) është përzgjedhur si finalist në garën ndërkombëtare për Çmimin prestigjioz “Japan Prize 2025”, një nga garat më të njohura globale në fushën e mediave arsimore dhe dokumentare. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i televizionit në RTK, Rilind Gërvalla përmes një postimi në rrjetet sociale, duke shprehur gëzimin për këtë arritje të rëndësishme.
Projekti finalist i RTK-së trajton temën e futbollit të vajzave në Kosovë, përmes rrëfimeve personale të futbollisteve vendore, ëndrrave dhe aspiratave të tyre drejt kampionateve të mëdha. Ky propozim ka arritur të kapë vëmendjen e jurisë ndërkombëtare për qasjen e tij njerëzore dhe frymëzuese në pasqyrimin e barazisë gjinore dhe zhvillimit sportiv.
“Jam i lumtur t’ua kumtoj lajmin se RTK është përzgjedhur në finalen e madhe të Çmimit Japonez ‘Japan Prize 2025’,” ka shkruar Gërvalla, duke falënderuar ekipin kreativ që qëndron pas këtij suksesi: Aleksandra T. Jovanovic, Gjergj Anton Filipaj, Dardan A. Berisha, Ersin Samli dhe Asako Matsushima Kubota, për punën e tyre të palodhshme.
“Është veç një RTK!” ka përfunduar ai.
Çmimi “Japan Prize” organizohet nga NHK (Radio Televizioni Kombëtar i Japonisë) që nga viti 1965, dhe synon të promovojë prodhimet mediatike edukative nga e gjithë bota. Më shumë rreth këtij çmimi mund të gjeni në faqen zyrtare të konkursit: https://www.nhk.or.jp/jp-prize/english/more/2025/


