Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, do të përshpejtojë planet për ndërtimin e një reaktor bërthamor në Hënë deri më 2030, ka shkruar BBC-ja të martën duke iu referuar raporteve të mediave në Shtetet e Bashkuara të Amerikë.
Plani është pjesë e ambicieve amerikane për vendosjen e një baze të përhershme për qeniet njerëzore që të jetojnë në sipërfaqen hënore.
Sipas Politicos, ushtruesi i detyrës së shefit të NASA-s iu është referuar të ngjashme të Kinës dhe Rusisë dhe ka thënë se të dy vendet “do të mund të deklaronin një zonë ndalimi” në Hënë.
Por mbeten shumë pikëpyetje sesa realist është afati kohor, duke pasur parasysh shkurtimet e fundit theksuara të buxhetit të NASA-s, dhe disa shkencëtarë janë të shqetësuar se planet po udhëhiqen prej qëllimeve gjeopolitike.
Shtetet, përfshirë SHBA-në, Kinën, Rusinë, Indinë dhe Japoninë, po turren që të eksplorojnë sipërfaqen e Hënës, me disa syresh që kanë planifikuar koloni të përhershme humane.
“Për ta avancuar qysh duhet këtë teknologji kritike, që të jetë në gjendje të përkrahë një ekonomi të ardhme hënore, gjenerim të fuqisë së madhe të energjisë në Mars, dhe për fuqizimin e sigurisë tonë kombëtare në hapësirë, është imperativ që agjencia të lëvizë shpejt”, i ka shkruar NASA-s sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, i cili është emëruar shef i përkohshëm i NASA-s prej presidentit Donald Trump, ka raportuar gazeta “The New York Times”.
Duffy ka kërkuar propozime nga kompanitë komerciale për të ndërtuar një reaktor që mund të gjenerojë të paktën 100 kilovat energji.
Kjo sasi është relativisht e vogël. Një turbinë tipike ere në tokë gjeneron 2-3 megavat.
Ideja e ndërtimit të një reaktori bërthamor si burim energjie në Hënë nuk është e re.
Në vitin 2022, NASA nënshkroi tre kontrata prej 5 milionë dollarësh për kompanitë për projektimin e një reaktori.
Dhe në majin e sivjetmë, Kina dhe Rusia njoftuan se planifikojnë të ndërtojnë një central bërthamor të automatizuar në Hënë deri në vitin 2035.
Shumë shkencëtarë pajtohen se do të ishte mënyra më e mirë ose ndoshta e vetmja për të siguruar energji të vazhdueshme në sipërfaqen hënore.
Një ditë hënore është e barabartë me katër javë në Tokë, e përbërë nga dy javë me diell të vazhdueshëm dhe dy javë errësirë. Kjo e bën shumë sfiduese mbështetjen në energjinë diellore.


