Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës së parë të nxënësve të Qendrës së Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, në profilin floktari në kuadër të arsimit dual, e cila u mbajt në hapësirat e kësaj shkolle.
“Ky është një sukses institucional, një fitore për të gjithë neve dhe një hap përpara drejt një sistemi arsimor që krijon mundësi reale.” u shpreh kryeministri në fjalën e tij të rastit.
Kryeministri u shpreh i gëzuar që ndodhet sot në mesin e tyre për të festuar suksesin e 19-të nxënësve të profilit “Floktari”, të gjeneratës së parë të certifikuar në kuadër të arsimit dual që po zhvillohet në shkollat e vendit tonë. Qendra e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi”, ishte në mesin e të parëve që morën guximin dhe përgjegjësinë për ta përqafuar këtë model inovativarsimor. Aktualisht kjo qendër arsimore ofron arsimin dual në 3 profile; automekanikë, estetikë dhe floktari, me rreth 220 nxënës të përfshirë.
“Ky model ndërthur teorinë me praktikën dhe i afron të rinjtë me tregun real të punës. Ka filluar në vitin 2022 në 4 shkolla, në katër profile të ndryshme, në 3 komuna të Kosovës, duke përfshirë 107 nxënës, të cilët besuan në këtë rrugëtim të ri.” u shpreh kryeministri në fjalën e tij.
Në këtë ceremoni të diplomimit, kryeministri gjithashtu tregoi para të pranishmëve se gjatë javës së kaluar mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të gjeneratës së parë të profileve muratorë dhe punëtorë i ngjashëm, në Qendrën e Kompetencës në Skenderaj, ndërkaq në fund të kësaj jave ai njoftoi se do të jetë i pranishëm në certifikimin e gjeneratës së parë në profilet Kuzhinier dhe Asistent i Mikpritës Hotelier, në Shkollën e Mesme Profesionale “7 shtatori”, në Prishtinë.
“Arsimi dual në Kosovë po zhvillohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare i ndërtuar mbi modelin gjerman, një prej më të suksesshmeve në botë. Ne jemi tani në vitin e tretë të zbatimit dhe rezultatet e para po flasin vetë.” tha ai ndër të tjera.
Më tej, ai falënderoi për mbështetjen e palëkundur të qeverisë dhe ambasadës së Gjermanisë dhe qeverisë së Luksemburgut përmes LuxDev, të cilat përveç financimit, kanë sjellë udhërrëfyes, shembuj, përvojë dhe ekspertizë që janë përshtatur me kujdes me nevojat dhe me zhvillimet tona. Tutje, kryeministri falënderoi edhe bizneset partnere, shkollat e mësimdhënësit, si dhe grupet punuese, të cilat kanë kontribuar me përkushtim për këtë sukses të përbashkët.
Në përmbyllje kryeministri iu drejtua nxënësve duke shprehur se ata janë dëshmia më e mirë se si arsimi mund të shndërrohet në një motorr të zhvillimit për shoqërinë dhe ekonominë tonë.
“Rruga juaj është frymëzim për brezat që do të vijnë, andaj jeni krenarë për vetveten dhe mos ndaloni së ëndërruari dhe së ndërtuari të ardhmen që e meritoni.” përfundoi fjalën e tij kryeministri.