Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu po mban ende shpresa se do t’i marr votat e nevojshme për t’u bërë kryetare e Kuvendit.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të konstituohet dhe shpresojmë shumë në reflektim të opozitës”, deklaroi ajo shkurt para gazetarëve.
Në votimin e sotëm, Haxhiu mori më pak mbështetje sesa në seancat e mëparshme, duke marrë vetëm 54 vota, krahasuar me 57 votat që kishte siguruar më parë. Ndërkohë, 44 deputetë votuan kundër dhe tre abstenuan. Në sallë ishin të pranishëm gjithsej 110 deputetë.
Kjo ishte përpjekja e tetë për ta konstituuar Kuvendin. Megjithëse ka pasur kërkesa që të ndryshohet kandidati, Lëvizja Vetëvendosje ka qëndruar pas propozimit të saj, duke theksuar se Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar dhe do të jetë zgjedhja e tyre në çdo raund votimi.